Studentët e ardhshëm
Studimet master
Aplikimi dhe regjistrimi
Kandidatët që shprehin interesim për të vijuar studimet universitare në Kolegjin Universitar “Victory”, në programin e studimeve të zgjedhur prej tij, mund ta bëjnë këtë online, nëpërmjet adresës : për nivelin master (MA), në linkun http://www.kolegjivictory.com/administrata/apliko-tani/apliko-master. Kolegji, në bazë të mundësive si dhe në bazë të kërkesave të shprehura në aplikimet që merr, planifikon hapjen dhe numrin e studentëve për programet e studimit master (MA).
Aplikimi bëhet nëpërmjet plotësimit të formularit të aplikimit:
- në mënyrë të drejtpërdrejtë, duke vizituar Kolegjin Universitar “Victory”;
- nëpërmjet internetit, online, na vizitoni në adresën: www.kolegjivictory.com;
- për informata shtesë, na shkruani në: info@kolegjivictory.com.
Rregullat dhe procedurat e pranimit
Kolegji Universitar “Victory” përcakton kriteret e pranimit për secilin program studimi dhe i publikon ato në kohë të përshtatshme. Për të ndjekur studimet master në Kolegjin Universitar “Victory”, kandidatët duhet:
- të vërtetojnë me dokument zyrtar mbarimin e studimeve universitare;
- të vërtetojnë me dokument zyrtar transferimin nga një institucion i arsimit të lartë;
- të pranojnë të paguajnë tarifën e studimeve.
Aplikantët duhet të plotësojnë, gjithashtu, dosjen e studentit në Zyrën e Shërbimeve Akademike. Dosja përmban:
- formularin e aplikimit – të plotësuar;
- diplomën origjinale universitare të ciklit të parë, si dhe të gjitha transkriptet origjinale (dhe diplomë shtesë nëse ka) të ciklit të parë të studimeve (ose të verifikuara në noter);
- certifikatën e lindjes;
- fotokopjen e letërnjoftimit ose të pasaportës;
- dokumentin që vërteton pagesën e tarifës së aplikimit.
Kushtet dhe kriteret për regjistrim të studentëve të rregullt dhe të atyre me korrespondencë
1. Të drejtë regjistrimi në regjimin e studimeve master (MA), sipas modelit 3+2 (dyvjeçare), kanë kandidatët që kanë diplomë (të nostrifikuar)* universiteti (të ciklit të parë –bachelor), ose ekuivalente me studimet trevjeçare (180 ECTS kredi).
2. Të drejtë regjistrimi në regjimin e studimeve master (MA), sipas modelit 4+1 (tre- semestral), kanë kandidatët që kanë diplomë (të nostrifikuar) universiteti (të ciklit të parë), ose ekuivalente me studimet katërvjeçare (240 ECTS kredi).
3. Lëndët do të jenë të rregullta dhe modulare, sipas këtij sistemi: 50% e planprogramit të fakultetit përkatës zhvillohet në formë të rregullt, ndërsa pjesa tjetër e programit mund të kryehet me studime vetjake (të udhëzuar nga mësimdhënësit). Zakonisht, lëndët e rregullta ofrohen çdo të dytën javë, pas orës 16:00, ndërsa të shtunën nga ora 8:00, me qëllim që t’u përshtaten kandidatëve që janë në marrëdhënie të rregullt pune. Ndërkaq, në rastet e lëndëve modulare (kur kemi profesorë të huaj), ligjëratat mund të jenë intensive.
4. Përparësi do të kenë studentët që gjatë studimeve të ciklit të parë kanë arritur notën mesatare 8.00 e më lartë.
5. Në rast se në programin përkatës studimor nuk paraqitet numër i mjaftueshëm i kandidatëve, atëherë, në atë program, nuk do të organizohet mësimi.
6. Në rastet kur aplikuesi ka përfunduar ciklin e parë në një lëmi që nuk është adekuate me programin studimor të ciklit të dytë në të cilin konkurron, atëherë, për kushtet eventuale të përshtatjes së njohurive paraprake, për regjistrim të programit, do të vendosë komisioni i formuar nga fakulteti përkatës.
* Kandidatët që kanë diplomuar në universitete jashtë Republikës së Kosovës, sipas Ligjit për Arsim të Lartë, janë të obliguar të bëjnë nostrifikimin e diplomës në Ministrinë e Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë në Republikën e Kosovës. Shërbimet e Kolegjit Universitar “Victory” do t’u ndihmojnë atyre në këtë çështje. Për përgjigje eventuale negative, apo për mosdhënie të përgjigjes, kandidatit do t’i ndërpriten studimet pa asnjë obligim nga KUV.



