Politikë Ndërkombëtare - Diplomaci (MA)
Qëllimi i Programit
MA në Politikë Ndërkombëtare - Diplomaci
Arsyeshmëria e programit të studimit
Kosova si shtet i ri pavarur ka nevojë të madhe për kuadrot e pajisur me njohuri nga Politika Ndërkombëtare - Diplomacia. Kjo e arsyeton faktin e hapjës së programit për përgatitjen e kuadrove profesionale dhe shkencore nga fushat e politikës ndërkombëtare - diplomacisë. Kjo është nevojë shtetërore ashtu si ishte nevojë edhe për shtetet e tjera në rajon dhe më gjërë për ngritjen teoriko – shkencore dhe profesionale për kryerjen e punëve të shtetit të Kosovës dhe institucioneve tjera të Kosovës.
Lëndët dhe ligjëruesit e propozuar për miratim i përgjigjen qëllimit themelor të këtij programi. Kjo krijon mundësi që të mësohen tendencat themelore të lëvizjeve ndërkombëtare dhe gjetja e perspektivës të mëtejme të ndikimit. Lidhshmëritë e subjekteve të sotme ndërkombëtare, kushtëzimi i ngjarjeve dhe proceseve ndërkombëtare është bërë pjesë relativisht e përhershme në sjelljet e aktorëve në planin ndërkombëtar dhe hapet mundësia për përcjellje të rregullt dhe hulumtime të jetës ndërkombëtare.
Partnerët potencial të interesuar për programin Politikë Ndërkombëtare - Diplomaci janë: shteti (Ministria e Punëve të Jashtme, Ministria e Mbrojtjes, Shërbimet e Sigurimit), televizioni publik dhe privat, radiostacionet publike dhe private, subjektet ekonomike, organizatat politike nacionale dhe ndërkombëtare dhe të tjera.
Përshkrimi i shkurtër i programit të studimit
Programi ju ofron studentëve dituri nga shkencat politike dhe ekonomike ndërkombëtare, nga kulturat dhe historia, dhe nga praktika e diplomacisë, nga perspektiva globale. Programi i studimit ka për qëllim të ngrisë nivelin e dijes akademike dhe analitike për politikën e jashtme në nivel global dhe shtetëror. Programi është përshtatur edhe me nevojat për njohuri për procesin e globalizimit, politikës së jashtme dhe diplomacisë të Kosovës. Programi gjithashtu krijon mundësinë që studentët të mësojnë metodologjinë e kërkimeve shkencore.
Rezultatet e pritura të nxënies
Pas përfundimit të suksesshëm të programit studentët pritet të jenë të përgatitur të:
- Kuptojnë në mënyrë të thelluar politikën ndërkombëtare,
- Analizojnë zhvillimet aktuale në politikën ndërkombëtare,
- Kuptojnë të drejtën ndërkombëtare dhe të drejtën e unionit evropian,
- Trajtojnë në aspektin teorik-shkencor të gjitha problemet e politikës ndërkombëtare dhe të diplomacisë
- Përfaqësojnë shtetin e Kosovës në të gjitha sferat e politikës ndërkombëtare dhe të diplomacisë.
- Kryejnë detyra këshillimi për politikën e jashtme e të Kosovës
- Angazhohen në sektorët të ndryshëm të medieve, në trajtimin e çështjeve të politikës ndërkombëtare dhe diplomacisë.



